OKB kriza e ujit reuters

OKB kriza e ujit reuters

Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM), një agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara (OKB), paralajmëroi të martën se ndryshimi i klimës rrit rrezikun global të katastrofave të lidhura me ujin si përmbytjet dhe thatësira dhe numri i njerëzve të prekur nga mungesa e ujit gjithashtu pritet të rritet.

Në raportin "Gjendja e Shërbimeve Klimaterike 2021: Uji", OBM-ja bën të ditur se 3.6 miliardë njerëz në nivel global kishin qasje të papërshtatshme në ujë të paktën një muaj në vit në 2018-n dhe deri në vitin 2050 ky numër pritet të kalojë 5 miliardë, raporton “Xinhua”.

"Situata po përkeqësohet nga fakti se vetëm 0.5 për qind e ujit në Tokë është i përdorshëm", -thuhet në raport.

Të dhënat e OBM-së tregojnë se rreziqet e lidhura me ujin janë rritur në frekuencë gjatë 20 viteve të fundit. Që nga viti 2000, fatkeqësitë e lidhura me përmbytjet janë rritur me 134 për qind në krahasim me dy dekadat e mëparshme, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë numri dhe kohëzgjatja e thatësirave u rrit gjithashtu me 29 për qind.

Shumica e vdekjeve të lidhura me përmbytjet dhe humbjet ekonomike u regjistruan në Azi, ndërsa Afrika u godit më së shumti nga vdekjet e lidhura me thatësirën.

Sipas shefit të OBM-së, vitin e kaluar u pa një vazhdimësi e ngjarjeve ekstreme të lidhura me ujin, të cilat zhvendosën miliona njerëz dhe vranë qindra në të gjithë Azinë, ndërsa në Afrikë më shumë se 2 miliardë njerëz vuajnë nga mungesa e qasjes në ujë të pijshëm të sigurt dhe kanalizime.

Duke nënvizuar rolin e rëndësishëm të menaxhimit të burimeve ujore në zvogëlimin e fatkeqësive të lidhura me ujin, OBM-ja rekomandon që vendet, veçanërisht shtetet e vogla në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara, të rrisin investimet në menaxhimin e integruar të burimeve ujore dhe në sistemet e paralajmërimit të thatësirës dhe përmbytjeve. (Elona)