Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) njoftoi se po shqyrton nëse do të fillojë një rishikim të përshpejtuar të një pilule të re eksperimentale kundër Covid-19. Nëse autorizohet, ai do të jetë ilaçi i parë oral antiviral që do të përdoret në trajtimin e koronavirusit, bën të ditur “Xinhua”.

Kreu i strategjisë së vaksinave të EMA-s, Marco Cavaleri, deklaroi në një nga konferencat e rregullta të agjencisë për shtyp se komiteti i tij këshillues mund të fillojë një rishikim të vazhdueshëm, një procedurë e përshpejtuar ku të dhënat vlerësohen sapo të bëhen të disponueshme në ditët e ardhshme.

"Sigurisht, ideja është të kuptojmë nëse të dhënat e mbështesin një rishikim të tillë", -tha Cavaleri.

Pilula, e quajtur “Molnupiravir”, prodhohet nga “Merck & Co”, një kompani farmaceutike shumëkombëshe në SHBA. Sipas kompanisë, ilaçi ka potencialin për të ulur shkallën e shtrimit në spital dhe të vdekjeve nga Covid-19 me rreth 50 për qind në raste të buta dhe të moderuara të infeksionit me virusin.

Javën e kaluar, “Merck & Co” njoftoi se do të kërkonte autorizim për përdorim urgjent nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) sa më shpejt të jetë e mundur, duke shtuar se testimi i pilulës ishte ndalur për shkak të rezultateve pozitive. Kompania gjithashtu njoftoi se kishte në plan të paraqiste aplikime marketingu tek organet e tjera rregullatore në të gjithë botën. (Elona)