
Shendeti mendor Today Show
Epidemia e Covid-19 e ka përkeqësuar edhe më shumë shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve në të gjithë botën, paralajmëron UNICEF-i në një raport të botuar të martën.
“Pasojat e pandemisë janë të mëdha dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. Para se të ndodhte, shumë fëmijë me probleme të shëndetit mendor nuk trajtoheshin”, -vuri në dukje drejtoresha e përgjithshme e UNICEF-it, Henrietta Fiore, në një njoftim për shtyp.
Sipas UNICEF-it, globalisht, më shumë se 1 në 7 adoleshentë të moshës 10 deri në 19 vjeç besohet se jeton me një çrregullim mendor të diagnostikuar dhe gati 46.000 adoleshentë kryejnë vetëvrasje çdo vit, duke e bërë atë një nga pesë shkaqet kryesore të vdekjeve për këtë grupmoshë.
Megjithatë, sipas raportit, vetëm rreth 2 për qind e buxheteve publike të alokuara për shëndetësinë i janë ndarë shëndetit mendor në botë.
Sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara, përgjegjëse për fëmijët, situata është përkeqësuar nga pandemia Covid-19 dhe kufizimet që ajo ka sjellë.
“Të paktën 1 në 7 fëmijë në botë është prekur drejtpërdrejt nga masat e kontrollit dhe më shumë se 1,6 miliardë fëmijë kanë pasur ndikim negativ në arsimimin e tyre”, -bëri të ditur organizata.
Në raportin e tij, UNICEF-i bën thirrje për investim urgjent në shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. (Elona)







