
Geng Shuang
Komiteti për Çarmatimin dhe Sigurinë Ndërkombëtare i Asamblesë së 76-të të Kombeve të Bashkuara zhvilloi të martën një debat të përgjithshëm, ku Geng Shuang, kreu i delegacionit kinez, mbajti një fjalim.
Geng vuri në dukje se përvoja e dhimbshme e Luftës së Dytë Botërore lindi një sistem shumëpalësh të kontrollit të armëve dhe çarmatimit me Kombet e Bashkuara në thelb. Tani bashkësia ndërkombëtare përballet me katër zgjedhje kryesore rreth këtij sistemi. E para, a do të rikthehet mendësia e Luftës së Ftohtë dhe të krijohen ndarje e konfrontime, apo do të promovohet multilateralizmi dhe do të ruhet stabiliteti strategjik? E dyta, a do të ndiqet pragmatizmi e do të minohen rregullat shumëpalëshe, apo të përmbushen përgjegjësitë e detyrimet dhe do të nxitet çarmatimi? E treta, a do të zbatohet një gjeostrategji për të shtypur vendet disidente, apo do të këmbëngulet në objektivitet e drejtësi dhe do të kërkohet një zgjidhje politike? E katërta, a do të abuzohet me epërsitë për të kërkuar monopol teknologjik, apo do të inkurajohet hapja e toleranca dhe hartimi së bashku i rregullave?
Në fjalimin e tij, Geng Shuang theksoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të niset nga koncepti i një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe të bëjë zgjedhje të mençura në mënyrë të përgjegjshme.
Geng përmendi arsenalin bërthamor të Shteteve të Bashkuara dhe tha se Uashingtoni ka promovuar ndërtimin e sistemit global antiraketor, ka vendosur raketa me rreze të mesme me bazë tokësore në Azi-Paqësor dhe Evropë, ka zhvilluar bashkëpunim për nëndetëset bërthamore me Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë, ka shtyrë shkatërrimin e armëve kimike, ka kundërshtuar negociatat për protokollin e verifikimit të armëve biologjike dhe ka nxitur bojkotin afatgjatë të vendeve të tjera. Ai se procesi i kontrollit të forcave ajrore, përdorimi i teknologjive të reja për epërsi ushtarake dhe përdorimi i çështjeve të mospërhapjes rajonale, siç janë çështjet bërthamore të Iranit e Koresë së Veriut dhe armët kimike siriane, për të zbatuar veprime gjeostrategjike, janë kritikuar. Geng Shuang gjithashtu i kërkoi Japonisë të tërheqë vendimin e saj të gabuar për të shkarkuar ujin e ndotur bërthamor në det dhe të trajtojë siç duhet shqetësimet e bashkësisë ndërkombëtare në një mënyrë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme.
Komiteti për Çarmatimin dhe Sigurinë Ndërkombëtare i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ("Komiteti i Parë i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së") përgjigjet për trajtimin e çështjeve të sigurisë ndërkombëtare, të tilla si kontrolli i armëve, çarmatimi dhe mospërhapja bërthamore. Gjatë mbledhjes së tij, vendet zhvillojnë debate të përgjithshme dhe diskutojnë lidhur me armët bërthamore, biologjike, kimike dhe konvencionale, internetin, hapësirën ajrore dhe tema të tjera.(Artan)







