Foto:VCG

Linjat ajrore pritet të pësojnë një humbje kumulative globale prej 51.8 miliardë dollarë këtë vit për shkak të Covid-19, megjithatë do të hyjnë në 2022-shin me një humbje të reduktuar në 11.6 miliardë dollarë, njoftoi Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, IATA.

Këto parashikime, të publikuara me rastin e Asamblesë së Përgjithshme të IATA-s në Boston, janë më pesimiste sesa ato të publikuara në prill, kur organizata priste një humbje prej 47.7 miliardë këtë vit.

IATA, gjithashtu, ka rishikuar humbjen e pësuar nga kompanitë në vitin 2020, në 137.7 miliardë dollarë kundrejt 126.4 të përmendur më parë.

“Pavarësisht nga ndikimi i madh i situatës shëndetësore në sektorin e aviacionit, që do të rezultojë në humbje kumulative prej më shumë se 200 miliardë dollarë midis 2020-s dhe 2022-shit, ne kemi kaluar kryesisht pikën më të thellë të krizës”, -tha drejtori ekzekutiv i IATA-s, Willie Walsh. Sipas tij, ende ka çështje serioze, por rruga drejt rimëkëmbjes është e qartë.

Sipas IATA-s, kompanitë amerikane, që përfitojnë nga një treg i fortë vendas, do të jenë të vetmet në territorin financiar pozitiv në 2022-shin, me një fitim të pritshëm prej 9.9 miliardë dollarë. (Elona)