
Foto: Përfaqësuesja Tregtare e ShBA-së Katherine Tai(VCG)
Përfaqësuesja amerikane e Tregtisë Katherine Tai u shpreh se synon të ketë bisedime të sinqerta me homologun e vet kinez në ditët në vijim dhe të diskutojë lidhur me përparimin e arritur në bazë të fazës së parë të marrëveshjes tregtare.
Në një fjalim të mbajtur në një qendër studimore amerikane, Tai tha se ShBA-ja do të kërkojë të negociojë me Pekinin për politikat e tij industriale, por qëllimi është "të mos ndizen tensionet tregtare me Kinën".
Kina dhe ShBA-ja e nënshkruan marrëveshjen tregtare të fazës së parë në janar 2020 si pjesë e zbutjes së betejës tarifore të dy ekonomive më të mëdha në botë që nga viti 2018.
Sipas marrëveshjes, Kina do të blejë një shtesë prej 200 miliardë dollarësh mallra dhe shërbime nga ShBA-ja, përfshirë 32 miliardë dollarë produkte bujqësore, gjatë periudhës dyvjeçare nga 1 janari 2020 deri më 31 dhjetor 2021.
Që nga gushti, blerjet e produkteve bujqësore nga Kina arritën 92 për qind të objektivit nga fillimi i vitit deri tani sipas marrëveshjes, tregojnë statistikat kineze të importit, ose 89 për qind nëse përdoren të dhënat e eksportit të ShBA-së, sipas Institutit për Ekonomitë Ndërkombëtare “Peterson”.
Tai gjithashtu njoftoi se ShBA-ja do të nisë "një proces të përjashtimit të shënjestruar të tarifave" të vendosura ndaj mallrave kineze nga administrata e mëparshme amerikane.
Grupet kryesore amerikane të biznesit i quajtën tarifat shtesë "të kushtueshme dhe të rënda" në një letër drejtuar administratës Biden në gusht. Ato shtuan se shumë shitës me pakicë amerikanë zgjodhën ta mbanin vetë koston e tarifave të vendosura nga ShBA-ja për mallrat kineze ose t'ua kalonin ato konsumatorëve.
Tarifat nuk e kanë ulur vullnetin për tregti dypalëshe. Në tetë muajt e parë të vitit 2021, tregtia Kinë-ShBA u rrit me 36.6 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 470.3 miliardë dollarë. Eksportet i Kinës në ShBA u rritën me 33.3 për qind, ndërsa importet 48 për qind, treguan të dhënat doganore të Kinës. (Artan)







