SHBA është një ndër vendet që udhëheq në botë në dhurimin e vaksinave, me zotimin për të dhënë rreth 1.1 miliardë doza për të luftuar pandeminë Covid-19. Por sipas “Zëri i Amerikës”, deri tani janë dërguar vetëm 15% e vaksinave të premtuara.

Për çdo vaksinë të bërë në Shtetet e Bashkuara, do të dërgohen jashtë vendit tre të tjera. Ky është premtimi që bëri presidenti Joe Biden për të ndihmuar vaksinimin në mbarë botën.

Departamenti i Shtetit njoftoi se nga 1.1 miliardë doza që ka premtuar SHBA, janë dërguar rreth 172 milionë, ose rreth 15%.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se 200 milionë doza të tjera do të nisen deri në fund të vitit dhe 800 milionë do të dërgohen deri në shtator 2022.

Organizatat humanitare thonë se 80 për qind e dozave të administruara kanë shkuar në vendet e pasura dhe më pak se 1 për qind në vendet me të ardhura të ulëta. (Fatosi)