![<br><br>Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, flet në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit mbi mospërhapjen bërthamore. [Foto/Xinhua]](https://mim-img0.cctv.cn/images/zhycms_albanian/20211004/a861eb9b-b29d-4809-b40c-0e73d0a22286.jpg?x-oss-process=image/quality,q_90/resize,w_650)
Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, flet në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit mbi mospërhapjen bërthamore. [Foto/Xinhua]
Ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara bëri thirrje për heqjen e plotë e të menjëhershme të masave të njëanshme shtrënguese, duke theksuar se ato shkelin rëndë të drejtat e njeriut dhe përkeqësojnë katastrofat humanitare.
Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB, e bëri deklaratën e përbashkët në emër të 30 vendeve në Debatin e Përgjithshëm të Komitetit të Tretë të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme. Kjo është hera e dytë që Kina bën një thirrje të tillë së bashku me vendet e tjera.
Masa të njëanshme shtrënguese zakonisht quhen masat ekonomike të ndërmarra nga një shtet për të detyruar një shtet tjetër të ndryshojë politikën e tij, sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Shembuj të tyre përfshijnë sanksione tregtare të tilla si embargoja dhe ndërprerja e flukseve financiare dhe investimeve midis dërguesve dhe vendeve që janë objektivi i këtyre masave.
Sanksionet "kanë penguar rëndë" zhvillimin dhe përpjekjet antiepidemike të vendeve që janë objektiv i tyre. Ata u heqin të prekurve mundësinë për të realizuar plotësisht të drejtat e tyre njerëzore dhe pengojnë mirëqenien e tyre shoqërore, u shpreh ambasadori.
Zhang theksoi se sanksionet e njëanshme shtrënguese ndikojnë në çështjet humanitare dhe janë të paarsyeshme. Masa të tilla duhet të hiqen menjëherë e plotësisht për të siguruar që vendet e synuara prej tyre të kenë burimet dhe mbështetjen e nevojshme për përgjigjen ndaj pandemisë dhe mëkëmbjen prej saj, duke lejuar që ndihma humanitare të arrijë tek ata që kanë nevojë pa vonesë ose pengesë, në mënyrë që të ndalojnë vuajtjet e popullatave të prekura, tha ai.
Masa të tilla shtrënguese "nuk kanë bazë ligjore", nënvizoi ambasadori. Shtetet duhet të shmangin vendosjen e sanksioneve të njëanshme që nuk janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar ose Kartën e OKB -së.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Komisionari i Lartë për të Drejtat e Njeriut, raportuesit e posaçëm të Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe shumë vende në zhvillim kanë bërë thirrje fuqimisht në raste të shumta për eliminimin e masave të njëanshme shtrënguese, vërejti Zhang.
Deklarata u nënshkrua së bashku nga 31 vende, duke përfshirë Kinën, Rusinë e Pakistanin.(Artan)







