
Ish-presidenti amerikan Donald Trump(VCG)
Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar nga një gjyqtar federal që të urdhërojë kompaninë “Twitter” t'ia aktivizojë llogarinë e tij në këtë rrjet social, njofton “Radio Evropa e Lirë”.
“Twitter” e kishte bllokuar llogarinë e Trump për shkak të trazirave në muajin janar në Kongresin amerikan.
Në kërkesën e tyre të paraqitur në Gjykatën Federale amerikane në Florida, avokatët e Trumpit thanë se vendimi i “Twitter”-it ishte i "detyruar" nga ligjvënësit e Kongresit.
Më 6 janar, përkrahësit e Trump u përleshën me policinë dhe më pas hynë në ndërtesën e Kongresit amerikan, duke dëmtuar pjesë të tij dhe duke kërcënuar ligjvënësit, ndërsa Kongresi po mbante takim për të vërtetuar fitoren e Joe Bidenit si president. Disa orë para sulmit, Trump iu drejtua një turme të madhe të përkrahësve të tij duke iu bërë thirrje që “të luftojnë si në ferr". Ai nuk bëri thirrje në mënyrë eksplicite për të sulmuar Kongresin. Trump më vonë u akuzua nga Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët për nxitje të dhunës.
(Fatosi)







