78 vende, përfshirë Kinën, bënë thirrje të enjten për të përshpejtuar zbatimin e Deklaratës dhe Programit të Veprimit të Durbanit (DDPA) dhe për t’i dhënë fund diskriminimit, racizmit dhe ksenofobisë.

Vendet shprehën në një deklaratë të përbashkët alarmin për diskriminimin racial, paragjykimet shoqërore, brutalitetin policor dhe pabarazinë shoqërore.

Duke vënë në dukje se ky vit shënon 20-vjetorin e Deklaratës dhe Programit të Veprimit të Durbanit, deklarata thekson se "lufta globale kundër racizmit, diskriminimit racial, ksenofobisë dhe intolerancës së lidhur me to dhe të gjitha formave e shfaqjeve të tyre të neveritshme e në zhvillim duhet të mbetet një çështje me përparësi për bashkësinë ndërkombëtare."

"Është koha që të gjitha shtetet dhe palët e interesuara të shfrytëzojnë mundësinë për të marrë masa konkrete për të përshpejtuar zbatimin e Deklaratës dhe Programit të Veprimit të Durbanit dhe për të luftuar të gjitha format e racizmit, diskriminimit racial, ksenofobisë dhe intolerancës së lidhur me to," thuhet në deklaratë.

Duke theksuar se të gjitha qeniet njerëzore kanë lindur të lira, të barabarta për sa i përket dinjitetit e të drejtave dhe kanë potencial për të kontribuuar në mënyrë konstruktive në shoqëritë e tyre, deklarata shton: "Çdo doktrinë e superioritetit racial është shkencërisht e rreme, e dënueshme moralisht, e padrejtë dhe e rrezikshme shoqërisht, dhe duhet hedhur poshtë."

Sidoqoftë, fatkeqësia e racizmit, diskriminimit racial, ksenofobisë dhe intolerancës së lidhur me to ende vazhdon në mbarë botën, dhe një numër i madh qeniesh njerëzore vazhdojnë të bien viktima të kësaj plage për shkak të mangësive në zbatimin e Deklaratës dhe Programit të Veprimit të Durbanit, vëren deklarata.

"Afrikanët dhe njerëz me prejardhje afrikane, aziatikët dhe njerëzit me prejardhje aziatike dhe banorët rrënjës prej kohësh vuajnë nga racizmi sistemik, diskriminimi racial dhe krimi i urrejtjes," thuhet në deklaratë.

Gjatë pandemisë së COVID-19, "keqinformimi, dezinformacioni, gjuha e urrejtjes dhe komentet raciste të bëra nga figurat politike e publike kanë çuar në një rritje të diskriminimit e të krimit të urrejtjes kundër afrikanëve e njerëzve me prejardhje afrikane dhe aziatikëve e njerëzve me prejardhje aziatike, veçanërisht grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Është koha që të gjithë të bëjmë një ndryshim të vërtetë dhe transformues. Nuk mund t'i lëmë brezat e ardhshëm të vazhdojnë të vuajnë nga brutaliteti i racizmit dhe diskriminimit racial," vë në dukje deklarata. (Vera/Artan)