
Flamurë të bardhë në kujtim të viktimave nga COVID-19,Uashington(Foto:VCG)
Numri i vdekjeve në SHBA nga Covid-19 ka arritur në 700.000, një shifër e zymtë ndërsa vendi përballet me një rritje të infeksioneve dhe vdekjeve të shkaktuara nga varianti Delta dhe refuzimi i miliona amerikanëve për t'u vaksinuar, njofton “Zëri i Amerikës”.
100.000 vdekjet e fundit u regjistruan vetëm në 3 muaj e gjysmë dhe ndodhën në një kohë kur vaksinat ishin në dispozicion për cilindo mbi moshën 12 vjeç që i dëshironte ato.
Pothuajse 65% e amerikanëve kanë bërë të paktën një dozë vaksine, ndërsa rreth 56% janë plotësisht të vaksinuar, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Por miliona njerëz ose refuzojnë ose nuk janë ende të bindur për shkak të frikës, dezinformimeve dhe bindjeve politike. Punonjësit e kujdesit shëndetësor raportojnë se janë kërcënuar nga pacientë dhe anëtarët e komunitetit që nuk besojnë se Covid-19 është i vërtetë. (Fatosi)







