Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë solidarizuar me Francën, për shkak të vendimit të Australisë që të heqë dorë nga marrëveshja për blerjen e nëndetëseve franceze dhe të arrijë një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nëndetëse me kapacitet bërthamor. Pas takimit me ministra të BE-së në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, shefi për Politikë të Jashtme në Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ky vendim ishte në kundërshtim me thirrjet për bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian në rajonin Indo-Paqësor, bën të ditur “Francë 24”.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, njoftoi se ka anuluar një takim në Nju Jork me homologun e tij australian, për shkak të “krizës së besimit” nga humbja e miliarda dollarëve në kontratën për nëndetëse. Javën e kaluar, Parisi zyrtar ka marrë vendim të pashembullt, duke thirrur për konsultime ambasadorët që ka në Australi dhe Shtetet e Bashkuara.

SHBA, Britania dhe Australia bënë të ditur se marrëveshja e re forcon përkushtimin e tyre për rajonin e Indo-Paqësorit dhe kanë insistuar se kriza diplomatike nuk do të ndikojë në marrëdhëniet afatgjata me Francën.

Marrëveshja e arritur së fundi nënkupton se Australia do të bëhet shteti i shtatë në botë që do të ketë nëndetëse me kapacitet bërthamor. (Elona)