Greqia nisi të hënën zhvendosjen e emigrantëve në objekte “të mbyllura” në ishujt e saj, objekte të financuara nga Bashkimi Evropian. Ato zëvendësojnë kampet e improvizuara të cilat nuk kishin kushte të mira dhe nuk ofronin mundësinë e një kontrolli më të madh.

Megjithatë, aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se kampet e reja ngjasojnë me burgjet, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Dy rreshta me gardhe me tela me gjemba rrethojnë kampin e ri “Zervou” në ishullin Samos të Egjeut, i projektuar për të strehuar 3000 persona. Ky kamp ka edhe kamera vëzhgimi, skanerë me rreze dhe dyer magnetike.

Objekti i ri u hap pas pak më shumë se një viti pasi zjarri shkatërroi kampin famëkeq të mbipopulluar të Morias në ishullin Lesbos. Atë kohë ai kamp ishte vendbanimi më i madh i emigrantëve në Evropë.

Zjarri nxiti një eksod kaotik të më shumë se 12.000 njerëzve.

Kryebashkiaku i ishullit Samos, Georgios Stantzos, i tha AFP-së se janë të shqetësuar për mundësinë e një vale të re refugjatësh nga Afganistani apo nga katër milionë emigrantët që ndodhen në Turqi.

Autoritetet greke thonë se kampet e reja në Samos, Leros, Lesbos, Kos dhe Kios synojnë të trajtojnë mbipopullimin, kushtet e këqija higjienike dhe krimin që kishte përfshirë disa prej kampeve të improvizuara.

Bashkimi Evropian ka ndarë 276 milionë euro për kampet e reja në ishujt grekë. Këta ishuj janë porta e parë për emigrantët që shkojnë përmes detit nga Turqia fqinje.

Në kulmin e krizës së emigrantëve në vitin 2015, Detin Egje e kaluan 856.000 persona. Kjo shifër ra në 173.000 një vit më pas dhe në vetëm 30.000 më 2017-n. (Elona)