Ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly, anuloi një takim me homologun britanik, Ben Wallace, për shkak të zemërimit që nxiti një marrëveshje e sigurisë midis Britanisë, SHBA-së dhe Australisë, njofton “Radio Evropa e Lirë”.

Me marrëveshjen AUKUS që u arrit javën e kaluar, SHBA-ja dhe Britania e Madhe do t’i japin Australisë teknologji për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore, për herë të parë.

Parisi është i zemëruar, pasi me paktin, Australia i dha fund një kontrate me Francën për ndërtimin e 12 nëndetëseve konvencionale.

Kjo kontratë, në vlerë prej 37 miliardë dollarësh, ishte nënshkruar në vitin 2016.

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, e cilësoi paktin Aukus si “goditje pas shpine”, që, siç tha, përbën “sjellje të papranueshme midis aleatëve dhe partnerëve”.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, e mbrojti vendimin e tij për të anuluar marrëveshjen me Francën, në favor të paktit Aukus.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritet të zhvillojë bisedime me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në ditët në vijim.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se Franca nuk ka përse të shqetësohet me paktin Aukus.

Me këtë marrëveshje, Australia do të bëhet vendi i shtatë në botë që operon nëndetëse me energji bërthamore.

Vendet e tjera që kanë të tilla janë: SHBA-ja, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe India. (Fatosi)