Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian (Visual People)

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian (Visual People)

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka akuzuar Australinë dhe Shtetet e Bashkuara se kanë gënjyer për një pakt të ri të sigurisë, që ka nxitur Parisin zyrtar t’i thërrasë për konsultime ambasadorët e tij në këto shtete, njofton “Radio Evropa e Lirë”.

Ministri Le Drian ka akuzuar shtetet edhe për shkelje të madhe të besimit.

Marrëveshja, e njohur si “AUKUS”, ka rezultuar me anulim të një marrëveshjeje disa miliarda dollarë që Franca ka nënshkruar me Australinë.

Kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se ai ka vepruar sipas interesave kombëtare të shtetit të tij.

“Natyrisht se është çështje e zhgënjimit të madh për qeverinë franceze, ndaj e kuptoj zhgënjimin e tyre”, -ka thënë ai, duke shtuar se Australia, sikurse secili vend sovran, duhet të marrë vendime që janë në interesin kombëtar.

Aleanca, ku përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar, do t’i mundësojë Australisë që të ndërtojë nëndetëse me kapacitet bërthamor, si mënyrë për t’u përballur me ndikimin e Kinës në Detin e Kinës Jugore. Kina, në anën tjetër, ka akuzuar tri fuqitë e paktit, për mentalitet të Luftës së Ftohtë. (Fatosi)