Presidenti Ebrahim Raisi njoftoi se Irani është pranuar si anëtar i plotë i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), kryesuar nga Kina dhe Rusia, transmeton “Anadolu Agency”.

“Më lejoni të shpreh kënaqësinë time për të marrë pjesë në këtë takim të rëndësishëm dhe efektiv, i cili është një nga mundësitë e pakta për të arritur paqen dhe bashkëpunimin e vërtetë në rajon. Me rastin e anëtarësimit të përhershëm të Iranit, falënderimet e mia të sinqerta për anëtarët”, -deklaroi Raisi në Samitin e 21-të të Krerëve të Shteteve të SCO-së të mbajtur në Taxhikistan.

Duke deklaruar se sistemi ndërkombëtar po ndryshon drejt polarizimit dhe rishpërndarjes së pushtetit në favor të shteteve të pavarura, Raisi e përshkroi SCO-në si një organizatë me vlera ekonomike, politike dhe demografike dhe një forcë shtytëse për multilateralizmin global.

Ai tha se politika e jashtme e Iranit bazohet në pjesëmarrjen aktive në organizatat ndërkombëtare, multilateralizmin, bashkëpunimin dhe respektin reciprok.

“Bota ka hyrë në një epokë të re. Hegjemonia dhe njëanshmëria po zhduken. Pushteti në sistemin ndërkombëtar po ndryshon në favor të shteteve të pavarura”, -deklaroi presidenti iranian.