Marrëveshja mes Kinës dhe Bashkimit Evropian për mbrojtjen e treguesve gjeografikë (IG), që hyri zyrtarisht në fuqi më 1 mars të këtij viti, po u sjell të dyja palëve mundësi të reja për të përmirësuar nivelin dhe cilësinë e tregtisë bujqësore, duke rritur reciprokisht besimin në tregje.

Treguesit gjeografikë synojnë të mbrojnë emrat e produkteve specifike për të promovuar karakteristikat unike të tyre të lidhura me origjinën gjeografike dhe njohuritë tradicionale lokale, citon “Xinhua”.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes më 14 shtator 2020, produktet agro-ushqimore, si portokallet e Gannan, karkalecat e Qianjiang, orizi i Wuchang, shampanja franceze dhe birra bavareze janë bërë gjithnjë e më popullore në tregjet kineze dhe evropiane.

Gjatë këtij viti, Misioni Kinez pranë BE-së dhe Komisioni Evropian kanë zhvilluar takine “online” për promovimin e produkteve IG, duke ftuar autoritetet përkatëse, zyrtarët lokalë dhe ekspertët nga të dyja palët për t'u angazhuar në diskutime të thella.

Marrëveshja njeh mbi 500 Ig në Kinë dhe Evropë dhe mbron rreth 200 emra të njohur evropianë dhe kinezë në sektorin e agro-ushqimit, 100 për secilën palë. Kjo është njohja e parë reciproke në shkallë të gjerë Ig mes Kinës dhe Evropës. Gjatë katër viteve të ardhshme, marrëveshja do të zgjerohet për të mbuluar një shtesë prej 350 Ig nga të dyja palët. (Irma)