Rënia e emetimeve të karburanteve fosile gjatë mbylljes së pandemisë globale të vitit të kaluar nuk ka ngadalësuar ritmin e ndryshimit të klimës dhe bota mbetet prapa synimeve për uljen e emetimeve të karbonit, bëhet e ditur në një raport të OKB-së.

Organizata Botërore e Meteorologjisë njoftoi se rënia e emetimeve të dyoksidit të karbonit vitin e kaluar nuk ishte e mjaftueshme për të përmbysur rritjen e niveleve të gazeve serrë në atmosferë, njofton “Reuters”.

Sipas raportit të OKB-së, objektivat e reduktimit nuk janë përmbushur dhe ka një gjasë në rritje që bota të humbasë objektivin e Marrëveshjes së Parisit për reduktimin e ngrohjes globale në 1.5 gradë celsius mbi nivelet paraindustriale.

“Gjatë gjithë pandemisë ne kemi dëgjuar se duhet të rindërtojmë më mirë për ta vendosur njerëzimin në një rrugë më të qëndrueshme dhe për të shmangur ndikimet më të këqija të ndryshimit të klimës në shoqëri dhe ekonomi”, -tha shefi i OBM-së Petteri Taalas, i cili shtoi se raporti tregon se deri më tani në vitin 2021 nuk po shkohet në drejtimin e duhur. (Irma)