Kroacia është në rrugën e duhur për të miratuar euron deri në vitin 2023, për sa kohë që plotëson kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian, tha të hënën komisioneri evropian i Ekonomisë, Valdis Dombrovskis.

"Euro do të jetë një pasuri e madhe për Kroacinë siç është tani për Evropën, por askush nuk duhet të përdorë adaptimin e euros për të rritur çmimet. Kjo duhet të monitorohet dhe menaxhohet nga afër", -shkroi komisionari në “Twitter”.

Dombrovskis e bëri komentin menjëherë pasi mbajti një konferencë në Zagreb mbi rrugën e Kroacisë drejt euros, monedhës së vetme evropiane, bën të ditur “Xinhua”.

Në fjalimin e tij, ai paralajmëroi se vendi duhej të ishte i kujdesshëm ndaj efekteve të pandemisë në ekonomi, veçanërisht niveli i ulët i vaksinimit që mund të shkaktojë masa të tjera kufizuese, megjithëse rimëkëmbja ekonomike e Kroacisë po shkon mirë.

Ai tha se Kroacia do të jetë në gjendje të prezantojë euron vetëm pasi të plotësojë të gjitha kërkesat e konvergjencës. Nëse këto janë përmbushur në vitin 2022, Këshilli i BE-së do të vendosë nëse do të lejojë futjen e euros në Kroaci më 1 janar 2023. (Elona)