Numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta çdo vit kur temperatura arrin 50 gradë celsius është dyfishuar që nga vitet 1980, sipas një analize globale të “BBC”-së. Ato gjithashtu ndodhin tani në më shumë zona të botës se më parë, duke paraqitur sfida të pashembullta për shëndetin e njeriut dhe mënyrën se si jetojmë.

Numri i përgjithshëm i ditëve kur temperatura arrin mbi 50 gradë celsius është rritur në çdo dekadë që nga viti 1980. Mesatarisht, mes viteve 1980 dhe 2009, temperaturat kaluan 50oC rreth 14 ditë në vit. Numri u rrit në 26 ditë në vit midis 2010-s dhe 2019-s. Në të njëjtën periudhë, temperaturat prej 45oC dhe më lart ndodhën mesatarisht dy javë shtesë në vit.

"Rritja mund t'i atribuohet 100% djegies së lëndëve djegëse fosile", -thotë dr. Friederike Otto, drejtore e asociuar e Institutit të Ndryshimit të Mjedisit në Universitetin e Oksfordit. Ndërsa e gjithë bota ngrohet, temperaturat ekstreme bëhen më të mundshme. Nxehtësia e lartë mund të jetë vdekjeprurëse për njerëzit dhe natyrën dhe të shkaktojë probleme të mëdha në ndërtesa, rrugë dhe sisteme energjetike.

Temperaturat prej 50°C ndodhin kryesisht në Lindjen e Mesme. Pas temperaturave rekord prej 48.8oC në Itali dhe 49.6oC në Kanada këtë verë, shkencëtarët kanë paralajmëruar se ditë mbi 50oC do të ndodhin diku tjetër, nëse nuk ulen emetimet e karburanteve fosile.

Me emetimet e vazhdueshme dhe mungesën e veprimit, jo vetëm që këto ngjarje ekstreme të nxehtësisë do të bëhen më të rënda dhe më të shpeshta, por reagimi dhe rimëkëmbja emergjente do të bëhen më sfiduese. Analiza e BBC-së gjithashtu zbuloi se në dekadën e fundit, temperaturat maksimale u rritën me 0.5oC në krahasim me mesataren afatgjatë nga 1980-a në 2009-n.

Por këto rritje nuk janë ndjerë njësoj në të gjithë botën: në Evropën Lindore, Afrikën Jugore dhe Brazil temperaturat maksimale u rritën me më shumë se 1oC dhe pjesë të Arktikut dhe Lindjes së Mesme regjistruan rritje prej më shumë se 2oC.

Shkencëtarët po bëjnë thirrje për veprim urgjent nga udhëheqësit botërorë në një samit të OKB-së në Glasgow në nëntor, ku qeverive do t'u kërkohet të angazhohen për shkurtime të reja të emetimeve në mënyrë që të kufizojnë rritjen e temperaturës globale. (Elona)