Donatorët ndërkombëtarë janë zotuar se do të ndajnë mbi një miliard dollarë ndihma për Afganistanin.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se Konferenca e donatorëve, me përfaqësues nga rreth 40 vende, që u mbajt të hënën në Gjenevë të Zvicrës, i përmbushi plotësisht pritshmëritë e tij sa i përket solidaritetit me njerëzit e Afganistanit.

Kombet e Bashkuara vlerësuan më herët se Afganistanit i duheshin mbi 600 milionë dollarë deri në fund të vitit, për të shmangur krizën humanitare në vendin që po përballet edhe me thatësi të madhe, bën të ditur “Al Jazeera”. “Pas dekadash lufte, vuajtjesh dhe pasigurish, afganët po kalojnë ndoshta orët e tyre më të rrezikshme”, -tha Guterres në fjalimin e hapjes.

“Sot, një në tre afganë nuk e di se nga do t’i vijë vakti i radhës i ushqimit. Niveli i varfërisë po rritet dhe shërbimet themelore publike janë afër shembjes”. Ai tha se ushqimi mund të mbaronte deri në fund të këtij muaji dhe Programi Botëror i Ushqimit tha se 14 milionë njerëz ishin në prag të urisë. Pavarësisht shqetësimeve, Guterres tha se është e pamundur të sigurohet ndihmë humanitare brenda Afganistanit pa u angazhuar me autoritetet de facto”.

Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje talibanëve që t’u japin punonjësve të ndihmës qasje të papenguar. (Elona)