Gazeta angleze "The Guardian" botoi më 10 shtator artikullin me titullin "Fundi nuk duket", ku thuhet se në vend të forcimit të supremacisë amerikane në botë, sot ShBA-ja duket më e dobët.

Sipas artikullit, më 11 shtator të vitit 2001, me sulmet ndaj Kullave Binjake të Qendrës Tregtare Botërore, një epokë e rrezikshme erdhi. Pas këtyre sulmeve, ndodhën një sërë ngjarjesh që shkaktuan humbjen e jetës së mbi 100 mijë njerëzve, dhe tani kjo situatë ende vazhdon.

Pas 20 vjetëve, rishfaqja e talibanëve në Kabul nxori në pah dy gjëra: ShBA-ja nuk e ka forcuar supremacinë e vet globale, por përkundrazi, duket më e dobët; jehona e 11 Shtatorit ende ndihet në të gjithë rajonin, por nuk do të mbetet vetëm atje.

Sipas artikullit, në botë të drejtat e njeriut ende injorohen. Në ShBA ka një rritje të pushtetit të presidentit, shkatërrim të rregullave dhe normalizim të islamofobisë, ndërsa nxitet retorika që lidh emigrantët me terrorizmin. Gjithashtu, është forcuar supremacia e bardhë, që ka lidhje me populizmin e krahut të djathtë në vende të tjera.

Në ShBA, shumica e sulmeve vitin e kaluar u planifikuan nga organizatat terroriste të ekstremit të djathtë. Rreziku më i madh me të cilin përballet ShBA tani nuk duket të jetë rreziku i jashtëm, por ai i brendshëm. E ardhmja e këtij vendi të fragmentuar dhe jo të besueshëm është gjithnjë e më e pasigurt dhe pozicioni i tij në botë është dobësuar.

Qytetarët amerikanë s'mund të izolohen nga rreziqet e botës së jashtme dhe telashet "s'mund të ndodhin gjithmonë diku tjetër". Më 11 shtator 2001, ShBA-ja kaloi nga ëndrra e stabilitetit afatgjatë në një makth të pafund lufte. Me tërheqjen e trupave nga Afganistani, ShBA-ja është më larg nga armiku i saj, por konflikti vazhdon në mënyra të tjera. Pa forca tokësore, sulmet me dronë kanë më shumë mundësi se kurrë të marrin si jetën e banorëve të thjeshtë, ashtu dhe të të dyshuarve si terroristë. Kur mungon siguria jashtë vendit, ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore nuk mund të kenë të siguri të brendshme, përfundon artikulli i “The Guardian”. (Çang Çuo)