Kontrolli i plotë i provincës Panjshir simbolizon se lufta në Afganistan ka përfunduar, tha zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid në një konferencë shtypi të hënën, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë viktimë civile gjatë marrjes së Panjshir-it.

Tre javë pas marrjes së pushtetit nga talibanët, por kur ende nuk është formuar një qeveri, zëdhënësi tha se një sistem "i përkohshëm" mund të deklarohet shumë shpejt për ndryshimet.

Lidhur me të ardhmen e Panjshir-it

"Ne kemi zgjedhur rrugën e paqes dhe dialogut, por forcat e rezistencës preferuan luftën. U përpoqëm për ta zgjidhur problemin e Panjshir-it me dialog, por kundërshtarët nuk donin," u shpreh zëdhënësi.

Duke folur për të ardhmen e Panjshir-it, ai theksoi se nuk do të ketë diskriminim kundër asnjë pjese të popullit afgan, duke përshirë Panjshirin.

Guvernatori dhe zëvendësguvernatori i Panjshir-it do të jenë nga kjo provincë. Njerëzit që u larguan nga provinca mund të kthehen në Afganistan në çdo kohë, tha ai.

Sipas zëdhënësit, banorët në disa pjesë të Panjshir-it përballen me problemin e mungesës së ushqimit dhe barnave, për shkak të konfliktit. Megjithatë, talibanët do t'i ndihmojnë ata sa më shpejt të jetë e mundur. Lidhja e internetit do të rivendoset.

Mbi qeverinë e re afgane

Zëdhënësi përmendi edhe se një qeveri afgane do të deklarohet në disa ditët e ardhme, dhe mund të shërbejë në rolin e qeverisë kujdestare.

Puna mbi formimin e qeverisë së re të Afganistanit ka përfunduar, dhe një deklaratë për këtë do të bëhet sa më shpejt pasi të jenë zgjidhur disa problem teknike, tha ai.

"Forcave afgane të stërvitura në 20 vjetët e fundit do t’u kërkohet të marrin pjesë përsëri në departamentet e sigurisë së bashku me talibanët," tha zëdhënësi.


Sipas tij, ish-zv.presidenti Amrullah Saleh u largua nga Afganistani për në Taxhikistan.

Në të njëjtën kohë, Ahmad Massoud, shefi i Frontit të Rezistencës Kombëtare të Afganistanit, u shpreh në “Twitter” të hënën se ai ishte i sigurt. (Xu Guang)