Foto:Visual People

Foto:Visual People

Konfederata e Sindikatave Evropiane tha se shumica e familjeve me të ardhura të ulëta në Bashkimin Evropian nuk do të mund të përballojnë shpenzimet e një pushimi veror këtë vit (2021).

Një studim i Konfederatës së Sindikatave Evropiane, bazuar në të dhënat e Eurostat-it, zbuloi se rreth 35 milionë qytetarë të Bashkimit Evropian nuk fitojnë mjaftueshëm sa për të përballuar pushimet, bën të ditur “Radio Evropa e Lirë”.

“Të dhënat tregojnë se rritja ekonomike në Evropë gjatë dekadave të fundit nuk ka sjellë përfitime në mënyrë të drejtë”, -tha zëvendëssekretarja e përgjithshme e konfederatës Esther Lynch.

Sipas studimit, 28 për qind e banorëve mbi 16 vjeç që jetojnë në bllok nuk posedojnë mjete financiare për të shijuar një pushim njëjavor jashtë shtëpisë.

Situata më e keqe është në Greqi, ku 88.9% e njerëzve që jetojnë në varfëri nuk mund të përballojnë pushimet, e pasuar nga Rumania (86.8%), Kroacia (84.7%), Qipro (79.2%) dhe Sllovakia (76.1%).

Organizata bëri të ditur se shumë persona nga kjo kategori e njerëzve janë të papunë ose në pension, por gjithashtu shifra përfshin miliona punëtorë me paga të ulëta.

“Pagat minimale paraqesin rrezik të varfërisë në të paktën 16 shtete anëtare të BE-së”, -njoftoi sindikata, duke shtuar se përgjatë një dekade hendeku mes atyre që kanë para për pushim dhe atyre që nuk kanë u rrit në 16 vende të BE-së. (Elona)