Foto nga VCG

Kryezyrtarja financiare e gjigantit kinez të teknologjisë “Huawei” do të dalë përsëri para gjykatës kanadeze të mërkurën për një raund përfundimtar të seancave mbi ekstradimin e saj të mundshëm në Shtetet e Bashkuara, pas gati tre vjet beteje gjyqësore.

Meng Wanzhou, vajza e themeluesit dhe kryezyrtarit të kompanisë “Huawei” Ren Zhengfei, po lufton ekstradimin në ShBA, që do ta gjykojë atë për mashtrim bankar dhe komplot me dyshimin e fshehjes së marrëveshjeve të biznesit të kompanisë së saj, përmes një filiali, në Iran.

Nëse transferohet në Shtetet e Bashkuara për gjykim dhe dënohet më pas, ajo mund të përballet me më shumë se 30 vjet burgim në ShBA.

Meng do të dalë të mërkurën para Gjykatës së Lartë të Kolumbias Britanike për më shumë se dy javë seanca.

49-vjeçarja ka mohuar çdo shkelje, dhe ekipi i saj mbrojtës thotë se abuzimet nga zyrtarët kanadezë dhe amerikanë i kanë mohuar Meng Wanzhou-t një proces të drejtë, prandaj kërkesa e ekstradimit nga ShBA-ja duhet të anulohet.

Avokati i Meng-ut, Mark Sandler, është shprehur se padia nuk qëndron dhe që nuk ka asnjë provë të kënaqshme për ekstradimin e saj.

Raundi përfundimtar i seancave të çështjes së Meng Wanzhou-t është planifikuar të përfundojë më 20 gusht. Por marrja e një vendimi pritet vetëm disa javë më pas dhe çdo apelim i ri do të thotë se procedura mund të zvarritet edhe më gjatë. (Artan/Fani)