
Ish-zyrtarë të qeverisë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare bënë thirrje që dy ekonomitë më të mëdha në botë të menaxhojnë marrëdhëniet e tyre dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët, në vend që të përdorin fjalë të ashpra dhe përballje.
Ekspertët pjesëmarrës në Forumin Botëror të Paqes, që u mbajt në fundjavë në Pekin, thanë se rritja e Kinës nuk do të ndalet dhe përpjekjet e qeverisë amerikane për t'u përballur me Kinën janë më shumë për përfitime politike sesa përfitime të vendit.
Yasuo Fukuda, ish-kryeministër japonez, tha se ShBA-ja ka qenë vigjilente për zhvillimin e Kinës, por nuk mund ta ndalojë rritjen e saj. Ai tha se Kina duhet të jetë e vetëdijshme se fjalët e ashpra që Biden ka përdorur në lidhje me Kinën nuk bazohen në konsiderata afatgjata, por pjesë e një strategjie për të arritur një konsensus dypartiak në vend.
Kevin Rudd, ish-kryeministër australian, tha se shumë gjëra kanë ndodhur në marrëdhëniet Kinë-ShBA që nga lufta tregtare 2018 dhe 2019, pandemia e vitit 2020 dhe politikat gjithnjë e më të vështira të nisura nga administrata e Biden-it në vitin 2021.
"E vërteta është se në epokën e re të konkurrencës strategjike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, si çështje logjike, ekzistojnë vetëm dy alternativa: menaxhimi i konkurrencës strategjike, me disa rregulla dhe disa perspektiva të mbrojtjes së paqes ose mos-menaxhimi i konkurrencës, humbja e të gjitha mbrojtjeve strategjike dhe rrezik në rritje të krizës, konfliktit dhe luftës," tha Rudd.
Ai bëri thirrje për një kornizë strategjike të konkurrencës për të menaxhuar problemet në rritje të sigurisë dhe tensioneve të politikës së jashtme që aktualisht dominojnë marrëdhëniet Kinë-ShBA. Për shembull, ndryshimi i klimës dhe përhapja bërthamore mund të jenë fushat ku Kina dhe ShBA-ja mund të bashkëpunojnë, tha ai.
Në samitin e fundit të G7-s, administrata e Bidenit u përpoq të bashkonte aleatët për një fitore politike ndaj Kinës. Por Kishore Mahbubani, ish-ministër i Jashtëm i Singaporit, vuri në dukje se deklaratat sipërfaqësore diplomatike nuk mund të shkelin interesat e vërteta ekonomike dhe marrëdhëniet tregtare.
"Në fund të fundit, vendet duhet të jenë realiste, duhet të kujdesen për interesat e tyre. Sa u përket atyre, duan të kenë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, ata duan të kenë lidhje të mira me Kinën, dhe ata nuk duan të mbajnë anën e askujt".
Kina ka këmbëngulur në adresimin e dallimeve me ShBA-në dhe në trajtimin e përbashkët të sfidave globale të tilla si ndryshimi i klimës dhe kontrolli i pandemisë.
Fu Ying, ish-zëvendësministrja e Jashtme kineze, tha në forum se mësimi kryesor që njerëzit kanë marrë nga pandemia e COVID-19 është se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me sfida globale.
"Duke mësuar nga ky mësim, ne duhet të përqendrohemi në punën së bashku për interesat e përbashkëta dhe jo të ndikohemi nga ndryshimet. Ne duhet të kalojmë nëpër sfida globale së bashku duke mbështetur multilateralizmin," tha Fu.
Ekspertët ranë dakord që rivendosja e marrëdhënieve Kinë-ShBA është urgjente, por dy palët përballen me sfida të konsiderueshme për ta arritur këtë. (Albana)







