Foto nga VCG

I dërguari i Misionit të Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare në Zvicër Jiang Duan mbajti të martën një fjalim të përbashkët në emër të 15 vendeve me qëndrim të ngjashëm, në sesionin e 47-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku bëri thirrje për respektimin e diversitetit të botës e për zbatimin e multilateralizmit, duke kundërshtuar veprimet e vendeve përkatëse për krijimin e përçarjes dhe përballjes ideologjike.

Në fjalim thuhet se paqja, zhvillimi, paanësia, drejtësia, demokracia dhe liria janë vlerat e përbashkëta të njerëzimit dhe objektivat e përbashkët të vendeve të ndryshme. Diversiteti është tipari themelor i botës. Format e demokracisë në vende të ndryshme janë të ndryshme, por kryesorja është të shihet nëse demokracia është në përputhje me kushtet kombëtare, nëse pasqyron vullnetin e popullit, mbron interesat popullore, përfiton përkrahjen e popullit, sjell stabilitetin e përparimin shoqëror dhe mbron të drejtat e njeriut. Vendosja e sistemit shoqëror dhe e modelit demokratik të një vendi mbi të tjerët, ndërhyrja në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe ushtrimi i sanksioneve të njëanshme janë veprime që shkelin demokracinë, të drejtat e njeriut, Kartën e OKB-së dhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.

Në fjalim u theksua se multipolarizimi botëror dhe demokratizimi i marrëdhënieve ndërkombëtare janë prirja e kohës dhe vendet e ndryshme duhet të punojnë së bashku për të nxitur paqen e zhvillimin, duke mbrojtur të drejtat e njeriut. (Fani)