Foto nga "People Vision"

Foto nga "People Vision"

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) konfirmoi të martën vaksinën kundër koronavirusit të ri, të zhvilluar nga kompania farmaceutike kineze "Sinovac", për përdorim urgjent.

"Deklaroj me gëzim se vaksina kundër koronavirusit e 'Sinovac'-ut është përfshirë në Listën e OBSh-së për Përdorim Urgjent (EUL), pasi ajo u vërtetua se ishte e sigurt, efektive dhe me cilësi të garantuar pas injektimit të dy dozave të kësaj vaksine," tha sekretari i përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë shtypi të martën.

"Për më tepër, kërkesat e ulëta për ruajtje e bëjnë këtë vaksinë të përshtatshme për përdorim në një mjedis të thjeshtë," shtoi ai.

Vaksina kundër koronavirusit, e krijuar nga Kompania e Shkencave të Jetës "Sinovac" me seli në Pekin, është gjithashtu një vaksinë e çaktivizuar, ashtu si vaksina e parë kineze kundër COVID-19 e "Sinopharm"-it, e cila u konfirmua për përdorim urgjent nga OBSh-ja muajin e kaluar.

Përveç dy vaksinave kineze, OBSh-ja ka përfshirë në listë më parë edhe vaksinën kundër COVID-19 të krijuar nga "Pfizer/BioNTech", dy versionet e vaksinës së kompanisë "AstraZeneca/Oxford", vaksinën e "Janssen"-it dhe vaksinën e "Moderna"-s.

Sipas Grupit Këshillimor Strategjik të Ekspertëve mbi Imunizimin pranë OBSh-së (SAGE), vaksina e "Sinovac"-ut rekomandohet për përdorim te të rriturit mbi 18 vjeç me dy doza të injektuara me interval dy deri katër javë.

Rezultati i efektivitetit të vaksinës tregon se vaksina e "Sinovac"-ut parandaloi simptomat serioze dhe shtrimin në spital të të prekurve nga COVID-19 në 100 për qind të popullatës së studiuar.

Vlerësimi nga SAGE tregon se vaksina e "Sinovac"-ut është autorizuar për përdorim te të rriturit mbi 18 vjeç në 32 vende ose juridiksione, ku 260 milionë doza janë shpërndarë për publikun. Asnjë problem sigurie nuk u gjet nga studimet paraklinike ose riprodhuese a toksike, ndërsa pjesa kryesore e reagimeve negative ishin nga të lehta në të moderuara, si dhembje në vendin e injektimit, dhembje koke, lodhje dhe dhembje muskujsh. (Wang Lei/ Artan)