"Krahasuar me raportet e vdekjes së princit të moshuar të Mbretërisë së Bashkuar, raportet e mediave për vdekjet e banorëve autoktonë në paraburgim janë shumë pak ... Herën tjetër kur dikush ju nxit të mendoni se sa larg kemi shkuar si vend, ju lutem mos harroni se ka 474 banorë rrënjës dhe banorë të ngushticës Torres që kanë vdekur në paraburgim".

Kështu ironizon shkrimtari dhe gazetari i famshëm australian Paul Daley në gazetën "The Guardian" me rastin e 30-vjetorit të botimit të "Raportit mbi vdekjen e australianëve rrënjës në paraburgim". Daley gjithashtu pyet: "Nëse të vdekurit nuk do të ishin banorë rrënjës, po të bardhë, a do ta toleronte ky vend këtë situatë?!"

Më 15 prill 1991, Komisioni Mbretëror Australian paraqiti një raport hetimi mbi vdekjen e australianëve rrënjës në paraburgim. Sipas raportit, vdekja e tyre në paraburgim ishte bërë një problem i madh në sistemin e zbatimit të ligjit në Australi. Por pas 30 vjetësh, gjithçka është përsëri njësoj.

"The Guardian" citoi të dhënat e fundit, sipas të cilave, në 30 vjetët e fundit, të paktën 474 australianë rrënjës kanë vdekur në paraburgim, pesë nga të cilët në muajin e fundit.

Problemi i diskriminimit racial të banorëve autoktonë shpesh fillon që në fëmijëri. Sipas statistikave të qeverisë, në vitin e kaluar përqindja e të rinjve autoktonë të burgosur ishte 17 herë më e madhe se e të rinjve joautoktonë.

CNN raportoi se shumë australianë autoktonë burgosen për shkelje të vogla kur janë të rinj, dhe më pas u hiqet mundësia për arsimim dhe punësim, duke u ndikuar negativisht si fizikisht, edhe mendërisht. Këto probleme shoqërore trashëgohen nga brezi në brez. (Çang Çuo)