Nepali po lufton me zjarret më të mëdha në vite, me tymin që është përhapur në kryeqytetin Katmandu. Pesë persona kanë vdekur deri më tani duke u përpjekur të shuajnë zjarret që kanë shpërthyer që nga janari, tha Sundar Sharma, një zyrtar i lartë i Autoritetit Kombëtar të Reduktimit dhe Rrezikut të Katastrofave.

Zjarret po digjen në të paktën 60 zona në 22 nga 77 rrethet administrative të Nepalit, duke rritur nivelet e ndotjes në të gjithë vendin. Sharma e cilësoi sezonin më të keq të zjarreve që nga viti 2012, kur qeveria filloi të mbante të dhëna.

"Zjarret në pyje janë arsyeja kryesore për rritjen e ndotjes së ajrit në Katmandu dhe shumë vende të tjera", -i tha Sharma agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Nepali mbylli shkollat për katër ditë në fund të marsit pasi ndotja e ajrit u ngrit në nivele të rrezikshme, duke detyruar miliona nxënës e studentë të qëndronin në shtëpi.

Zjarret në pyje shpërthejnë shpesh në Nepal gjatë sezonit të thatë janar-maj, kur fshatarët djegin gjethe të thata në tokat pyjore për të nxitur rritjen e barit të freskët për bagëtitë e tyre. (Irma)