Gjatë një interviste të premten për medien italiane “Faro romano”, ish-ambasadori i Italisë në Kinë Alberto Bradanini tha se sanksionet e fundit të ShBA-së dhe të BE-së ndaj Kinës bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, sepse ato nuk janë miratuar nga mekanizmi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe janë të njëanshme. “Kjo është një mënyrë që ShBA-ja të ushtrojë ‘Luftën e Ftohtë’ ndaj Republikës Popullore të Kinës,” tha z. Bradanini.

Ish-ambasadori i Italisë në Kinë Alberto Bradanini

Ish-ambasadori i Italisë në Kinë Alberto Bradanini

Ai theksoi se, përballë ngritjes së shumë vendeve të tjera, statusi ekonomik i ShBA-së është bërë më pak i rëndësishëm. Ndërkohë, si pasojë e luftërave të paligjshme dhe cenimit sistematik të të drejtave të njeriut, besueshmëria e ShBA-së është ulur ndjeshëm. Një gjë e tillë vërtetohet nga 600 mijë viktimat në Irak, 250 mijë në Siri, të paktën 20 mijë në Libi, si dhe ata në Jemen dhe Afganistan, robërit e keqtrajtuar në burgjet e Guantanamos e Abu-Ghraibit, si dhe prindërit imigrantë që u detyruan të ndaheshin nga fëmijët e tyre.

Z. Bradanini është i mendimit se Kina përbën një sfidë ndaj pozicionit hegjemonist të ShBA-së në botë, por përpjekjet e Kinës për diversifikimin politik, ekonomik dhe kulturor global i kanë dhënë paqes botërore më shumë garanci sesa unilateralizmi ushtarak i ShBA-së.

Nga këndvështrimi i BE-së, sanksionet e mëparshme ndaj Rusisë kanë shkaktuar humbje të rënda ekonomike për vendet anëtare, ndërsa sanksionet e fundit do të ushtrohen ndaj Kinës, partnerit tregtar nr. 2 të bllokut. Ushtria amerikane është dislokuar në Evropë për 76 vjet. Sipas teorisë së dijetarit italian Makiaveli, elementi më i rëndësishëm i pavarësisë është pavarësia ushtarake. Nga ky aspekt, është vështirë të thuhet se BE-ja gëzon pavarësi të vërtetë.

Z. Bradanini theksoi se shumë thënie mbi Xinjiang-un të përhapura në vendet perëndimore janë pa bazë. Në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit ekzistojnë shumë objekte fetare, si xhami, kisha, tempuj budistë e taoistë etj. Ndërkohë, të drejtat fetare të njerëzve bazohen në parakushte si stabiliteti, uniteti mes kombësive të ndryshme, siguria kombëtare dhe garantimi i rendit publik. Thëniet për gjenocid në Xinjiang janë krejtësisht gënjeshtra, të cilat demaskohen lehtësisht, mjaft të shikohet shtimi i numrit të banorëve ujgurë gjatë periudhës nga viti 1978 deri më 2018. (Wang Lei/ Artan)