Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe bashkëshortja e tij, Peng Liyuan, i dërguan një mesazh ngushëllimi mbretëreshës së Britanisë Elizabet II për ndarjen nga jeta të princit Filip.

Presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij shprehën gjithashtu simpatinë e tyre të sinqertë për mbretëreshën dhe familjen e saj.

Princi Filip, duka i Edinburgut dhe burri i mbretëreshës Elizabet II, u nda nga jeta të premten në moshën 99 vjeçe.

Zëdhënësi i Pallatit të Buckingham-it deklaroi se funerali i dukës së Edinburgut do të zhvillohet në Windsor më 17 prill, pa pjesëmarrjen e publikut ose kortezh publik paraprak.

Veprimtaria do të jetë një “funeral mbretëror”, jo funeral shtetëror, theksoi zëdhënësi.

Një minutë heshtje kombëtare do të mbahet kur të fillojë funerali.

Tetë ditë zie kombëtare do të përfundojnë në ditën e funeralit. (Wang Lei/ Artan)