[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Në Ditën Botërore të Shëndetit, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për përmirësimin e shëndetit për të gjithë njerëzit pasi pandemia ka zgjeruar pabarazitë në shëndet dhe mirëqenie brenda dhe midis vendeve, bën të ditur “Xinhua”.

"Ndërsa ne të gjithë padyshim kemi qenë të ndikuar nga pandemia, më të varfrit dhe më të margjinalizuarit janë goditur më rëndë", -tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë për shtyp.

Sipas OBSH-së, pandemia vlerësohet të ketë çuar midis 119 dhe 124 milionë më shumë njerëz në varfëri ekstreme në vitin 2020.

Shefi i OBSH-së bëri thirrje për qasje të barabartë në kujdes shëndetësor dhe vaksina. Sipas tij, të paktën gjysma e popullsisë së botës nuk ka qasje në mjekë dhe ilaçe të përballueshme.

OBSH bëri thirrje për masa urgjente për një drejtësi më të madhe, përfshirë investime në sisteme themelore dhe të përballueshme të kujdesit shëndetësor dhe të sigurimeve shoqërore. (Elona)