[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Bilanci i viktimave si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut nga cikloni tropikal “Seroja” në Indonezi dhe Timorin Lindor është rritur në të paktën 160, ndërsa dhjetëra vetë rezultojnë të zhdukur, sipas një raporti të njoftuar nga Qendra Indoneziane për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Shumica e viktimave jetonin në ishuj afër Timorit Lindor, raporton “Ansa”.

Në Indonezi, ekipet e shpëtimit po luftojnë kundër kohës për të gjetur më shumë se 70 njerëz të zhdukur, duke parë mbeturinat e grumbulluara gjatë kalimit të ciklonit. Shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit kanë gjeneruar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, duke shkatërruar shtëpi. Më shumë se 10.000 njerëz u strehuan në qendrat e evakuimit. Shumë shtëpi, rrugë dhe ura janë mbuluar me baltë dhe pemë të shkulura, duke e bërë të vështirë për ekipet e shpëtimit që të përpiqen të arrijnë zonat më të goditura. (Elona)