Mostra për testimin e COVID-19 në një laborator në një universitet lokal në Romë, Itali,29 Mars 2021

Mostra për testimin e COVID-19 në një laborator në një universitet lokal në Romë, Itali,29 Mars 2021

Nga një studim i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe palës kineze për gjurmueshmërinë e virusit COVID-19 rezultoi se transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër është skenari më i mundshëm dhe se një dalje nga laboratori është "jashtëzakonisht e pamundur", sipas një dokumenti të marrë nga Associated Press (AP).

Gjetjet ofrojnë pak njohuri të reja se si virusi u shfaq për herë të parë dhe ka ende shumë pyetje pa përgjigje. Por, raporti ofron më shumë hollësira mbi arsyetimin pas përfundimeve që u arritën nga studiuesit.

Ekipi propozoi kërkime të mëtejshme në çdo fushë përveç hipotezës së daljes nga laboratori - një teori spekulative që u promovua ndër të tjera nga ish-presidenti i ShBA-së Donald Trump.

Studimi arriti gjithashtu në përfundimin se roli i luajtur nga tregu i prodhimeve të detit ku u identifikuan për herë të parë rastet të infektimit ishte i pasigurt.

Raporti, i cili pritet të bëhet publik të martën, bazohet kryesisht në vizitën e ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë të OBSh-së në Wuhan. Misioni nuk synonte të identifikonte burimin e saktë natyror të virusit, pasi kjo është një përpjekje që zakonisht zgjat me vite. Për shembull, ekziston një studim prej mbi 40 vjetësh dhe ende nuk është arritur të përcaktohet nëse specie konkrete të lakuriqëve të natyrës janë burimi natyror i Ebola-s.

Në draftin e marrë nga AP-ja, studiuesit renditën katër skenarë në mënyrë që të kishin gjasa për shfaqjen e koronavirusit të ri. Në krye të listës ishte transmetimi nga lakuriqët e natës përmes një kafshe tjetër, për të cilën ata thanë se ishte shumë e mundshme. Ata vlerësuan përhapjen e drejtpërdrejt nga lakuriqët e natës tek njerëzit si të mundshme dhe thanë që përhapja te njerëzit nga paketimi i produkteve ushqimore "të zinxhirit të ftohtë" ishte e mundur por jo me shumë gjasa. Ata hodhën poshtë mundësinë e një daljeje nga laboratori, duke thënë se aksidente të tilla laboratorike janë të rralla, laboratorët në Wuhan janë të menaxhuar mirë dhe nuk ka asnjë regjistrim të viruseve të lidhura ngushtë me koronavirusin në asnjë laborator para dhjetorit 2019.

Epidemiologu në Universitetin e Edinburgut, Mark Woolhouse, tha madje "probabiliteti shumë i ulët" ishte një mbivlerësim në rastin e paketimit të ushqimeve të ngrira. "Nuk ka asnjë provë bindëse që njerëzit infektohen në të vërtetë përmes paketimit", tha ai, duke e quajtur teorinë "të panatyrshme".

Woolhouse shtoi se ndoshta origjina e COVID-19 mund të mos identifikohej kurrë.

"Shfaqja e një [sëmundjeje] të re është gjithmonë një rrjedhë ngjarjesh të pazakonta," tha ai. "Është e vështirë të arrish në përfundime dhe të përjashtosh ndonjë gjë". Por ai tha se shumica e shkencëtarëve pajtohen që lakuriqët e natës janë burimi më i mundshëm.

Lakuriqët e natës njihen për bartjen e koronavirusëve dhe, në fakt, i afërmi më i afërt i virusit që shkakton COVID-19 është gjetur te lakuriqët e natës.

Në raport thuhet se viruse shumë të ngjashëm janë gjetur te pangolina, por shkencëtarët ende nuk kanë identifikuar të njëjtin koronavirus në kafshë që kanë infektuar njerëzit.

Raporti nuk dha përfundime nëse shpërthimi nisi në një treg të prodhimeve të detit në Wuhan ku doli një nga grupet më të hershme të rasteve të infektimit te njerëzit në dhjetor 2019. Studimi i botuar vitin e kaluar në revistën ‘Lancet’ sugjeroi që tregu mund të ketë shërbyer thjesht për të përhapur më tej sëmundjen sesa duke qenë burimi i saj. (Albana)