Ministria e Shëndetësisë e Ukrainës njoftoi të martën se ka miratuar vaksinën e COVID-19 të prodhuar nga kompania kineze "Sinovac".

"Sinovac" ka arritur marrëveshje me parteren e vet, kompaninë farmaceutike ukrainase "Lekhim", për t'i dhënë Ukrainës 5 milionë doza vaksine, duke përfshirë 1.9 milionë doza nëpërmjet një programi shtetëror prokurimi.

"Lekhim" u shpreh muajin e kaluar se kishte paraqitur dokumentet për të kërkuar miratimin e vaksinës, kurse një zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë tha javën e kaluar se autoritetet do ta ndëshkonin financiarisht këtë kompani për shtyrjen e dorëzimit të vaksinave.

Ukraina, një nga vendet më të varfra të Europës, ka mbetur prapa shumë vendeve fqinje në vaksinimin e 41 milionë banorëve të saj. Autoritetet ukrainase kanë kërkuar ndihmë nga vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që nuk kanë pranuar të blejnë vaksinën ruse "Sputnik V" .

Ukraina nisi vaksinimin për COVID-19 në fund të shkurtit, por deri më 9 mars vetëm 19 118 veta kishin bërë dozën e parë.

Të martën ministri ukrainas i Shëndetësisë Maksym Stepanov u kërkoi autoriteteve të shpejtojnë vaksinimin dhe shprehu shqetësim për shfaqjen e variantit të zbuluar së pari në Britani.

Ukraina ka raportuar mbi 1.4 milionë raste të koronavirusit, si edhe 27 204 vdekje. (Foto nga VCG)