Presidenti francez, Emmanuel Macron, pritet të mbledhë kabinetin qeveritar javën e ardhshme, lidhur me “lejen e shëndetit”, që nuk shihet si “pasaportë vaksinimi”, në funksion të rihapjes së vendeve të kulturës dhe restoranteve të mbyllura gjatë pandemisë Covid-19. Njoftimi u bë nga kreu i “Elysée”, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Evropës, citon “Ansa”.

“Krijimi i këtij instrumenti të ri do të paraqesë shumë pyetje teknike, të respektimit të të dhënave individuale, të organizimit të lirive tona”, -tha Macron, duke shtuar se për këtë tashmë duhet përgatitje teknike, politike dhe ligjore.

“Ndonjëherë ka shumë konfuzion mbi këtë çështje, por “leja e shëndetit” nuk do të lidhet vetëm me vaksinimin. Duhet të shmangim që secili vend i BE-së të zhvillojë sistemin e tij, duke punuar në një certifikim të përbashkët mjekësor”, -theksoi Macron. (Irma)