Laboratori “BioNTech” njoftoi fillimin e prodhimit të vaksinës së tij kundër koronavirusit të projektuar me “Pfizer” në një uzinë të re në Marburg (Gjermani), destinuar për të rritur lëvrimet.

“Kemi filluar etapën e parë të prodhimit të vaksinave në uzinën tonë të Marburgut, në Hesse”, -njoftoi laboratori gjerman në një komunikatë, sipas agjencisë “AFP”.

Sidoqoftë, ky prodhim duhet të marrë ende dritën jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), në shkurt e mars, përpara se të shpërndahet, thekson “BioNTech”.

Laboratori parashikon që vaksinat e para të prodhuara në qendrën e Marburgut do të transportohen në fillim të prillit. Aktualisht, uzina kryesore e prodhimit të vaksinave me destinacion klientët evropianë ndodhet në Puurs, në Belgjikë.

“BioNTech” parashikon të prodhojë deri në 250 milionë doza të BNT162b2 gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021. (Elona)