Foto nga VCG

Foto nga VCG

Bota po i afrohet shifrës prej 100 milionë rastesh të diagnostikuara me koronavirus. Universiteti Johns Hopkins njoftoi se numri i të infektuarve i ka kaluar 98 milionë vetë dhe se Covid-19 ka shkaktuar mbi 2 milionë vdekje, shkruan “RTSH’.

Në Holandë hyri në fuqi shtetrrethimi prej orës 21:00 deri në 04:30. Të gjithë ata që do të duan të dalin jashtë gjatë këtyre orëve duhet të kenë arsye të rëndësishme pune, përfshirë një letër nga punëdhënësi i tyre. Do të ketë gjithashtu përjashtime për rrethana emergjente, e gjithashtu për zhvillimin e funeraleve, apo proceseve gjyqësore. Fluturimet nga zonat që konsiderohen me rrezik të lartë do të ndalohen për të paktën 1 muaj.

Në Norvegji, kryeqyteti Oslo dhe zonat përreth do të jenë nën masa më strikte pas shpërthimit të rasteve me variantin anglez të virusit. Dyqanet jo të domosdoshme janë mbyllur nga mesdita e së shtunës, dhe nuk do të rihapen deri në të paktën 1 shkurt.

Belgjika do të ndalojë udhëtimet turistike jashtë vendit në përpjekjen për të frenuar përhapjen e mutacioneve më të rrezikshme të virusit. Rregullat e reja do të jenë në fuqi nga java e ardhshme deri në mars.

Nga e diela, Franca e bëri të detyrueshëm testin negativ për të gjithë të ardhurit ndërsa Britania e Madhe po konsideron ashpërsim të mëtejshëm të kufizime kufitare, përfshirë mundësinë e karantinimit në hotel të udhëtarëve.

Ekspertët shpresojnë se me ngrohjen e motit në hemisferën veriore, do të ulet vala e infeksioneve. (Fatosi)