ShBA-ja e ka paguar rëndë ekonomikisht luftën tregtare me Kinën të shpërthyer nga presidenti Trump.

Sipas një studimi nga Instituti i Ekonomisë i Oksfordit, fërkimet tregtare midis Kinës dhe ShBA-së kanë shkaktuar pakësimin e 245 mijë vendeve të punës në ShBA. Por, nëse të dyja palët do të anulojnë gradualisht politikën e shtimit të tarifave dhe do të nxitin zhvillimin e tregtisë dypalëshe, pritet të shtohen 145 mijë vende të reja pune në ShBA deri në vitin 2025.

Sipas njoftimit të agjencisë së lajmeve “Reuters”, studimi është autorizuar nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë (USCBC), një organizatë joqeveritare dhe jofitimprurëse, anëtarët e së cilës merren me biznesin në Kinë, përfshirë kompanitë e mëdha shumëkombëshe, si “CocaCola”, dhe shumë ndërmarrje të vogla amerikane.

Në raportin studimor, të publikuar disa ditë para ardhjes në fuqi të presidentit të zgjedhur Joe Biden, analizohet politika e tanishme tregtare e ShBA-së. Biden-i ka deklaruar më parë se nuk ka në plan ta ndryshojë menjëherë politikën tarifore të Trump-it.

Vlerësohet se ndërmarrjet amerikane që eksportojnë në Kinë, krijojnë 1.2 milion vende pune në ShBA. Në vitin 2019, kompanitë amerikane investuan 105 miliardë dollarë në Kinë.

Parashikohet se, nëse do të vijojnë fërkimet tregtare ShBA-Kinë, deri në vitin 2022 ShBA-ja do të humbë 732 mijë vende pune.

Humbjet e ekonomisë amerikane nga fërkimet tregare nuk mbeten në pakësimin e vendeve të punës.

Parashikohet se pakësimi i madh i shkëmbimeve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë do të shkaktojë uljen e PBB-së së ShBA-së me një vlerë prej 1.6 trilionë dollarësh amerikanë në pesë vjetët e ardhshëm.

Raporti tregon se Kina do të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e ekonomisë botërore. Në dhjetë vjetët e ardhshëm, Kina do të nxitë një të tretën e rritjes së ekonomisë globale. Prandaj, për ShBA-në do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme hyrja në tregun kinez. (Wang Lei/ Artani)