Agjencia Evropiane e Shëndetit njoftoi se rreziku është i lartë që variante të zbuluara rishtas të virusit që shkakton Covid-19 mund të shkaktojnë më shumë vdekje për shkak të rritjes së transmetueshmërisë.

ECDC, me qendër në Stokholm, në një raport të publikuar në faqen e vet zyrtare, bën të ditur se megjithëse nuk ka informacion që infeksionet nga këto lloje janë më të rënda, fakti që ato përhapen më lehtë ndikojnë direkt në sistemin shëndetësor dhe kapacitetet spitalore, duke çuar rrjedhimisht në më shumë viktima për shkak të mosmarrjes së ndihmës mjekësore.

ECDC këshillon që autoritetet e shëndetit publik të rrisin testimin dhe monitorimin për të zbuluar përhapjen e mundshme të variantit të ri të Covid 19, i zbuluar për herë të parë në Britaninë e Madhe. (Elona)