Bashkimi Evropian nisi vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit, ndërsa sondazhet tregojnë nivelet e larta të hezitimit ndaj vaksinës. Udhëheqësit evropianë të 27 vendeve anëtare po e promovojnë atë si shansin më të mirë për rikthimin në normalitet.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen deklaroi se miliona doza të vaksinës Pfizer/BioNTech janë shpërndarë në 27 vendet anëtare të Bllokut. Sipas saj, vaksinimi është rruga e qëndrueshme për të dalë nga pandemia.

Disa shtete filluan të shpërndanin për përdorim vaksinën që të shtunën, një ditë përpara datës së përcaktuar për të nisur në të gjitha vendet e Bllokut, duke u shprehur se nuk mund të prisnin dot një ditë më shumë. Në disa shtete janë zgjedhur punonjësit e shëndetësisë si përfituesit e parë të vaksinave.

Aktualisht vendet e BE kanë marrë një sasi dozash simbolike vetëm 10 mijë për çdo shtet, ndërsa duke filluar nga e hëna do të shpërndahen miliona doza.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më sot, BE ka raportuar më shumë se 335.000 viktima si pasojë e koronavirusit. Më shumë se 14 milion njerëz janë infektuar dhe masa të rrepta izolimi janë aktualisht në fuqi në thuajse të gjitha vendet anëtare. (Fatosi)