Pandemia e Covid-19 është ngadalësuar globalisht, edhe pse shumë pak, gjatë shtatë ditëve të fundit.

Pandemia u ngadalësua disi këtë javë në të gjithë botën, me 638.892 raste të reja të regjistruara në ditë (-0.5% e krahasuar me javën e mëparshme), sipas një raporti të fundit, cituar nga “AFP”.

Në Afrikë, epidemia është akoma duke u përshpejtuar (+16 % e rasteve të infektimeve gjatë javës së kaluar). Po kështu, Amerika Latine dhe Karaibet po përjetojnë një përshpejtim (+9 %).

Evropa mbetet zona e cila regjistroi më shumë infektime të reja këtë javë (247.838 raste të reja ditore), me një përshpejtim prej 2%.

Në të kundërt, epidemia është ngadalësuar në SHBA dhe Kanada (-5 %), megjithëse me një nivel të lartë të rasteve të reja, 217.878 në ditë. Pandemia vazhdon të ngadalësohet në Lindjen e Mesme (-5 %) dhe Azi (-10 %). Shkalla e infektimit është rritur me 106 % në Oqeani, por virusi qarkullon shumë pak atje (37 raste në ditë).

Pandemia ka vrarë të paktën 1.73 milionë persona në të gjithë botën që nga fundi i dhjetorit, për më shumë se 78 milionë infektime të konfirmuara. (Elona)