Ndikimi i një vaksine të re Covid do të fillojë ndjeshëm gjatë verës dhe jeta duhet të kthehet në normalitet deri në dimrin e ardhshëm, deklaroi një nga krijuesit e saj, shkruan “BBC”.
Profesor Ugur Sahin, bashkëthemelues i “BioNTech”, tha se ky dimër do të ishte ende i vështirë pasi vaksina nuk do të kishte një ndikim të madh në numrin e infeksioneve.
Javën e kaluar, “BioNTech” dhe “Pfizer” njoftuan se analiza paraprake tregoi se vaksina e tyre mund të parandalonte më shumë se 90 për qind të njerëzve të infektoheshin Covid-19. Në testim morën pjesë rreth 43.000 persona.
Mbretëria e Bashkuar pritet të marrë 10 milion doza deri në fund të vitit, me 30 milion doza të tjera tashmë të porositura. Vaksina bëhet në dy doza, me tre javë ndarje.
Sahin tha se ishte i bindur se vaksina do të zvogëlojë transmetimin mes njerëzve si dhe do të ndalojë zhvillimin e simptomave te dikush që ka bërë vaksinën. Ai tha se vaksina mund të përgjysmojë transmetimin që do të kishte një ndikim të madh. (Fatosi)