Kryeministri kinez Li Keqiang bëri thirrje të shtunën për forcimin e solidaritetit, fokusimin në zhvillimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit, për të kapërcyer sfidat nga pandemia e COVID-19.
Li i bëri këto komente në një videofjalim gjatë Samitit të Azisë Lindore, të zhvilluar në mënyrë virtuale, që u drejtua nga kryeministri vietnamez Nguyen Xuan Phuc.
Duke vënë në dukje se paqja e zhvillimi dhe promovimi i bashkëpunimit përfaqësojnë prirjet e kohës mes sfidave të sjella nga pandemia e COVID-19, Li tha se të gjitha palët duhet "të qëndrojnë të bashkuara, të përqendrohen në zhvillimin, të zgjerojnë bashkëpunimin dhe të bashkohen për kalimin e vështirësive."
Li Keqiang bëri tre propozime për përballimin e krizës dhe nxitjen e bashkëpunimit.
Së pari, ai bëri thirrje për solidaritet në luftën kundër pandemisë dhe përmirësimin e kapaciteteve të shëndetit publik, duke kërkuar që samiti të japë kontribute më të mëdha që vaksina të zotërohet dhe të jetë e përballueshme nga të gjithë. Kina përkrah ASEAN-in të ketë rezerva furnizimesh mjekësore.
Së dyti, Li tha se ky samit duhet të forcojë politikën e bashkërendimit për rimëkëmbjen ekonomike, duke formuar një rrjet rajonal të "kalimit të shpejtë" për shkëmbimin e personelit dhe "kalimit të gjelbër" të logjistikës, për të garantuar qarkullimin e qëndrueshëm të zinxhirit industrial dhe të furnizimit.
Së treti, kryeministri kinez u bëri thirrje të gjitha palëve për të rritur bashkëpunim pragmatik, për të forcuar kapacitetin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Për sa i përket çështjes së Detit të Kinës Jugore, Li tha se Kina është e vendosur në ruajtjen e paqes dhe të qëndrueshmërisë rajonale. Ai premtoi se vendi i tij do të bëjë përpjekje për mbështetjen e rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare, si dhe do të bashkëpunojë me vendet e ASEAN-it për zbatimin e plotë dhe efektiv të Deklaratës mbi Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore dhe nxitjen e konsultimeve për Kodin e Sjelljes.
Në këtë mbledhje morën pjesë edhe liderët e 10 vendeve të ASEAN-it, presidenti rus Vladimir Putin, presidenti i Republikës së Koresë Moon Jae-in, kryeministri i Japonisë Yoshihide Suga, presidenti australian Scott Morrison, kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, ministri i Punëve të Jashtme të Indisë S. Jaishankar dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare të ShBA-së Robert O'Brien. (Xu Guang)