Një program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe grupi për vaksina GAVI kanë mbledhur mbi 2 miliardë dollarë, të cilat do të përdoren për të blerë dhe shpërndarë në vendet e varfra vaksinën kundër koronavirusit.
Por sipas tyre, kjo shumë nuk është e mjaftueshme që të gjitha vendet e varfra të furnizohen me vaksinën potenciale kundër sëmundjes Covid-19, shkruan “Reuters”.
Aleanca GAVI bëri të ditur se këto fonde do t’i lejojnë COVAX, programi i OBSH-së që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për zbulimin e vaksinës për Covid-19, që të blejë një miliard doza të vaksinës, për 92 shtete, të cilat nuk kanë mundësi që t’i blejnë vetë.
“Ne kemi parë shtete dhe donatorë privatë nga e gjithë bota që kanë kontribuuar që të arrihet ky qëllim”, -tha shefi i GAVI-it, Seth Berkley, duke e konsideruar si çështje urgjente që të financohen trajtimet për koronavirus dhe diagnostikimi.
Berkley tha se deri në fund të vitit 2020 nevojiten të mblidhen edhe 2 miliardë dollarë për diagnostikim dhe 6.1 miliardë dollarë për trajtim mjekësor.
Edhe 5 miliardë dollarë të tjera duhet të mblidhen deri më 2021, në mënyrë që të blihen doza të vaksinës kundër Covid-19. (Irma)