“Vendosëm të zgjasim edhe për 15 ditë rregullat e përcaktuara për masat shtrënguese kundër Covid-19”, njoftoi kryeministri francez Jean Castex. Dyqanet e ashtuquajtura jothelbësore do të qëndrojnë mbyllur.

Castex tha se nëse të dhënat e spitalit vazhdojnë të rriten, autoritetet do të detyrohen të marrin masa të reja. Aktualisht, paralajmëroi ai, numri i pacientëve Covid të shtruar në spital tejkalon kulmin e arritur në prill, shkrujnë mediet franceze.

"Në Francë regjistrojmë një shtrim në spital çdo 30 sekonda dhe një pranim në kujdes intensiv çdo tre minuta". Castex deklaroi se 40% e këtyre pacientëve janë nën moshën 65 vjeç. Ai gjithashtu shtoi se një në katër vdekje në Francë tani është për shkak të koronavirusit.

“Pas mbledhjes së Këshillit për Mbrojtjen Shëndetësore për epideminë, Franca vendosi të mbajë bllokimin aktiv të paktën deri në fund të muajit. Nëse e lejon situata, do të lehtësohen masat për disa aktivitete tregtare, por jo për bare, restorante dhe palestra, duke filluar nga 1 dhjetori”, -tha Castex. (Irma)