Komisioni Evropian ka arritur një marrëveshje për të paguar më pak për vaksinën e “Pfizer” ndaj Covid-19 krahasuar me Shtetet e Bashkuara.

Sipas “Reuters”, Bashkimi Evropian njoftoi se kishte siguruar deri në 300 milionë doza të vaksinës. E zhvilluar nga “Pfizer” në bashkëpunim me gjermanen “BioNTech”, vaksina eksperimentale është pionier në një luftë globale për prodhimin e vaksinave, me të dhëna provizore të lëshuara, që tregojnë se ishte më shumë se 90% efektive në mbrojtjen e njerëzve.

Marrëveshja parasheh se 27 vende evropiane mund të blejnë 200 milionë vaksina tani dhe të kenë mundësi të blejnë 100 milionë të tjera më vonë, citon “Balkan web”.

Një zyrtar i lartë i BE-së, deklaroi për “Reuters”, se Unioni do të paguajë më pak se 19.50 dollarë për vaksinë, pasi është diskutuar me prodhuesit e saj, duke shtuar se çmimi pjesërisht pasqyron mbështetjen financiare për zhvillim nga BE-ja dhe Gjermania.

“BioNTech” njoftoi se madhësia e porosisë do të ndikojë në çmimin për dozë në botën e zhvilluar, duke shtuar se ai do të ndryshojë mes vendeve ose rajoneve.(Irma)