Miliona fëmijë, veçanërisht në Nigeri, vendi më i populluar i Afrikës, rrezikojnë mos të vaksinohen kundër poliomelitit dhe fruthit për shkak të koronavirusit, ngriti alarmin UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Trajtimi i pandemisë globale Covid-19 është thelbësor. Sidoqoftë, sëmundje të tjera vdekjeprurëse, të tilla si poliomieliti dhe fruthi, kërcënojnë gjithashtu jetën e miliona fëmijëve në disa nga rajonet më të varfra të botës”, -paralajmërojnë Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) dhe OBSH-ja, në një deklaratë të përbashkët të publikuar në Abuxha, kryeqyteti i Nigerisë, përcjell “ATSH”.
Sipas UNICEF-it, vitet e fundit, ka pasur një ringjallje globale të fruthit me epidemi të vazhdueshme në të gjitha rajonet e botës. Mangësitë në mbulimin e vaksinave u përkeqësuan më tej më 2020-n si pasojë e Covid 19. (Elona)