Një vaksinë efektive kundër Covid-19 mund të jetë në dispozicion deri në mars të vitit 2021, gjë që së bashku me përparimet e tjera mund të ndryshojë thelbësisht rrjedhën e pandemisë, tha një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Bruce Aylward tha në Asamblenë vjetore ministrore të OBSH-së, se rezultatet e përkohshme nga prova e një vaksine ishin shumë pozitive, bën të ditur “Radio Evropa e Lirë”.
“Ka ende shumë punë për të bërë, këto janë vetëm rezultate të ndërmjetme, por shumë premtuese”, -tha Aylward.
Vaksina e parë kundër koronavirusit mund të jetë 90% efektive, sipas një analize paraprake.
Zhvilluesit e vaksinës, kompania amerikane “Pfizer” dhe ajo gjermane “BioNTech”,
besojnë se do të jenë në gjendje të sigurojë 50 milionë doza deri në fund të këtij viti dhe rreth 1.3 miliardë deri në fund të vitit 2021. (Elona)